Një qytetar nga Lezha ka ngritur një shqetësim që do të duhej të trondiste çdo autoritet vendor, por jo Bashkinë e drejtuar nga Pjerin Ndreu. Në lagjen e spitalit, nga rubinetet nuk del më ujë, por një përzierje që ngjan me llumin e pusetave të kanalizimeve. Banorët detyrohen të lahen, të gatuajnë e të pastrojnë me këtë ujë të ndotur, i cili nuk vlen as për të ujitur lulet, dhe ta mendosh që për ujë kanalesh të paguash taksa dhe shpenzime.
Ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me këtë realitet, kreu i bashkisë Pjerin Ndreu duket më i preokupuar për propagandën se për problemet themelore të qytetit që drejton. Lezha e tij është kthyer në një qytet të harruar: rrugë të pa shtruara, mbeturina në çdo cep, plazhe të ndotura dhe tani, ujë që nuk mund të quhet më as i pijshëm, as i përdorshëm.
Por përgjegjësia nuk ndalet aty. Edhe Ujësjellës-Lezhë, me drejtor Zef Miçin, mban një rol kyç në këtë dështim. Për vite me radhë, qytetarët kanë denoncuar problematika me cilësinë e ujit, por asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjë njoftim, asnjë masë, asnjë transparencë për shkaqet e ndotjes, vetëm heshtje dhe neglizhencë.
Në një qytet ku ujë nuk pihet, rrugët nuk shtrohen dhe plehrat janë kthyer në peizazh të përditshëm, pushteti vendor dhe ndërmarrjet publike vazhdojnë të sillen sikur çdo gjë është në rregull. Lezha po përmbytet jo nga shirat, por nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria e atyre që paguhen për ta mbajtur qytetin gjallë.