Një ndjekje spektakolare në rrugët e Italisë përfundoi me arrestimin e një 31-vjeçari shqiptar, i cili po udhëtonte me një automjet të vjedhur në Zvicër. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 24 tetorit në zonën e Vareses, kur Karabinierët u vunë në ndjekje të një “Volkswagen Golf” me targa zvicerane, që tentoi të shmangte kontrollin policor dhe lëvizte me shpejtësi të madhe.
Gjatë ndjekjes, i riu kreu manovra të rrezikshme dhe përplasi disa automjete pranë një semafori në afërsi të supermarketit “Tigros” në Besozzo. Pas aksidentit, ai u përpoq të largohej në këmbë, por u kap menjëherë nga policia, ndërsa një bashkëpunëtor i tij arriti të arratisej. Në automjetin e braktisur, forcat e rendit gjetën mjete për thyerje, telefona, radio portative dhe sende të dyshuara si mallra të vjedhura.
Kontrollet e mëtejshme në banesën e 31-vjeçarit zbuluan bizhuteri ari, orë luksoze dhe dy pistoleta, që dyshohet se janë përfituar nga grabitje të tjera. Ai u arrestua dhe u dërgua në burgun e Vareses, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur origjinën e sendeve të sekuestruara dhe për të identifikuar bashkëpunëtorët e tjerë të përfshirë në aktivitetin kriminal.