Gjykata e qarkut Kukës ndodhet në një gjendje amortizuese, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve që kalojnë çdo ditë pranë saj. Një pjesë e murit të jashtëm të ndërtesës është dëmtuar ndjeshëm, me tulla të rëna dhe pjesë të shkëputura që mund të paraqesin rrezik për kalimtarët.
Situata është bërë shqetësuese për banorët e zonës, të cilët shprehen se prej kohësh askush nuk ka ndërhyrë për ta riparuar objektin. Ndërtesa, ku supozohet të ushtrohet drejtësia, ndodhet në një zonë ku kalojnë çdo ditë nga qytetarë, përfshirë edhe fëmijë të vegjël.
Sipas banorëve, problemi është evident prej vitesh, por institucionet përkatëse nuk kanë marrë asnjë masë për ta ndrequr gjendjen e degraduar të godinës. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për të shmangur ndonjë tragjedi të mundshme.
“Përshëndetje JOQ, shikoni në çfarë gjendje ndodhet Gjykata e Qarkut Kukës, ku aty supozohet që të ketë drejtësi, dhe më e keqja është që aty kalojnë mijëra njerëz, përfshirë edhe fëmijë të vegjël”, shkruan banori i Kukësit për JOQ Albania.