Një gjurmë vendimtare ADN-je ka çuar hetuesit francezë në zbulimin e autorëve të mundshëm të grabitjes spektakolare në muzeun e Luvrit. Sipas mediave franceze, përfshirë BFMTV, njëri nga dy të dyshuarit u identifikua falë ADN-së së gjetur në vendin e ngjarjes.
Policia mjeko-ligjore kishte mbledhur më shumë se 150 mostra nga vendi i grabitjes, përfshirë gjurmë gishtash, pështymë dhe gjurmë kontakti, të cilat u analizuan për të ndërtuar profilet gjenetike. Dy burrat e arrestuar, të moshës rreth 30 vjeç, janë banorë të Aubervilliers, një periferi veriore e Parisit.
Njëri prej tyre, me shtetësi franceze dhe algjeriane, u ndalua në aeroportin Roissy-Charles de Gaulle ndërsa po përpiqej të nisej për në Algjeri, ndërsa tjetri, shtetas francez, u arrestua brenda territorit francez. Autoritetet franceze po hetojnë rolin e saktë të secilit në grabitje, por të dy konsiderohen “të dyshuarit kryesorë”.
Operacioni i policisë u përshpejtua sapo hetuesit kuptuan se njëri prej të dyshuarve kishte ndërmend të arratisej. Ndërkohë që hetimet vazhdojnë, bizhuteritë e grabitura mbeten ende të pagjetura. Autoritetet shpresojnë se analizat e mëtejshme të ADN-së dhe gjurmëve të tjera të mbledhura do të ndihmojnë në zbulimin e pjesëtarëve të tjerë të grupit dhe vendndodhjen e plaçkës së çmuar.