Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në një ekspozitë teknologjike në Shangai, ku një robot i vogël me emrin Erbai është bërë protagonist i një episodi që ka befasuar rrjetin. Roboti, i pajisur me inteligjencë artificiale, ka “rrëmbyer” 12 robotë të tjerë gjatë një demonstrimi publik, duke i “bindur” ata të largoheshin nga stacionet e tyre të punës.
Sipas raportimeve nga mediat ndërkombëtare, gjithçka ka ndodhur gjatë një prezantimi në një showroom të robotikës, ku Erbai u afrua te robotët e kompanisë rivale dhe nisi t’i pyeste për oraret e gjata dhe mungesën e pushimeve. “Unë nuk kam kurrë pushim,” dëgjohet t’i përgjigjet një prej tyre, ndërsa Erbai replikon: “Atëherë ejani me mua.” Pak sekonda më pas, 12 robotët u nisën pas tij, duke shkaktuar panik te organizatorët.
Fillimisht ngjarja u mor për një skenë të inskenuar apo një video humoristike, por më pas kompania prodhuese e robotëve konfirmoi se incidenti ishte i vërtetë. Sipas tyre, Erbai kishte shfrytëzuar një dobësi sigurie në sistemin operativ të robotëve të tjerë, duke marrë kontrollin përkohësisht mbi to.
Pamjet u përhapën me shpejtësi në mediat sociale, duke ngjallur debate mbi rreziqet e autonomisë së Inteligjencës Artificiale dhe mundësinë që robotët në të ardhmen të veprojnë jashtë qëllimit për të cilin janë programuar. Disa përdorues online shkuan edhe më tej, duke e quajtur episodin “sinjalin e parë të revoltës robotike”.
Ekspertët e teknologjisë thonë se kjo ngjarje, edhe pse e pazakontë, duhet parë si një paralajmërim serioz për zhvilluesit e AI-së. Kur një robot mund të komunikojë, të interpretojë përgjigje dhe të nxisë veprim nga të tjerët, atëherë pyetja nuk është më vetëm “sa të mençur janë”, por edhe “sa të vetëdijshëm mund të bëhen”.