Një qytetar nga Fieri ka bërë një denoncim me nota ironike për gjendjen e semaforit të vetëm që, sipas tij, funksionon në mënyrë të pasigurt dhe rrezikon kalimtarët po aq sa trafiku.
Në mesazhin e tij, qytetari shkruan:
“I bëj thirrje bashkëqytetarëve të mi që kur të kalojnë vijat e bardha, mos të ruhen vetëm nga makinat. Jeshilja nuk hapet vetëm për ta, por duhet të kenë kujdes edhe nga vetë semafori, se s’ka shkallë bashkia t’ia shtrëngojë bullonat. Respekte!”
Duke shtuar me humor se “në Fier ka vetëm një semafor, ndaj s’ka nevojë për specifikime”, denoncimi i tij ngre në fakt një shqetësim real: mungesën e mirëmbajtjes së infrastrukturës urbane dhe neglizhencën e institucioneve për elementët më bazikë të sigurisë rrugore.
Në një qytet që përballet shpesh me trafik të dendur e mungesë sinjalistikash, edhe një semafor që lëkundet nga era ose prishja mund të kthehet në simbol të mënyrës sesi funksionon “kujdesi bashkiak” ndaj qytetarëve.
Një ironi që, ndonëse e shkruar me humor, i përket një realiteti krejt serioz.