Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet italiane, pasi dyshohen se janë autorët e një rrëmbimi dhe grabitjeje të ndodhur dy vite më parë ndaj një çifti italian në Macerata, Campania. Operacioni u zhvillua mëngjesin e së shtunës, më 25 tetor, në komunat e Casertës dhe Paretes, ku karabinierët e Santa Maria Capua Vetere ekzekutuan urdhrat e arrestit të lëshuar nga gjykata me kërkesë të Prokurorisë.
Sipas mediave italiane, hetimet kanë nisur në nëntor të vitit 2023 dhe janë zhvilluar deri në qershor të vitit 2025, duke përfshirë metoda teknike dhe dëshmitë e viktimave. Çifti italian ishte sulmuar brenda banesës së tyre, ku autorët i kishin kërcënuar me armë, madje njërit prej tyre i kishin vendosur armën në gojë, duke u marrë paratë dhe bizhuteritë me vlerë rreth 64 mijë euro.
Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë dhe urdhëroi masën e paraburgimit për të dy shqiptarët, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse ata janë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera të ngjashme. Autoritetet italiane theksojnë se ky arrestim është rezultat i një pune hetimore të gjatë dhe të koordinuar që synon goditjen e krimeve të organizuara me motive grabitjeje.