Pesë ditë pas aksidentit, Gjoka lë barrierat mbrojtëse të dëmtuara, rrezik në rrugën e Arbrit

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 26.10.2025, 14:26

Pesë ditë më parë, në afërsi të zonës së Brarit, në rrugën e Arbrit ndodhi një aksident i rëndë ku një automjet doli nga rruga dhe ra në një humnerë pranë urës. Si pasojë, një person mbeti i plagosur dhe u dërgua me urgjencë në spital nga një kalimtar i rastit.

Sot, një qytetar shkruan për JOQ se në vendin e ngjarjes ku ndodhi aksidenti para pesë ditësh, ende nuk janë marrë masa për të riparuar dëmtimet në hekurat anësore të rrugës. Siç duket nga pamjet, me motin e lagësht situata bëhet akoma më e rrezikshme për drejtuesit e mjeteve.

“Te Rruga e Arbrit, sapo kalon Fundjavën Ndryshe, afër Brrarit, ende nuk janë marrë asnjë masë për të rregulluar hekurat anësore pas aksidentit që ndodhi para pesë ditësh. Asfalti është në gjendje skandaloze dhe me këtë mot të keq situata bëhet edhe më e rrezikshme. Ndoshta do të ndërgjegjësohen dhe do t’i rregullojnë sa më shpejt,” shkruan qytetari, duke vënë në dukje neglizhencën e plotë të kompanisë kontraktuese “Gjoka Konstruksion” të Rrok Gjokës.

Vetëm tre orë më parë, një tjetër aksident i rëndë ka ndodhur në rrugën e Arbrit, konkretisht në afërsi të Gjoricës, ku dy automjete u përplasën me njëra-tjetrën, duke lënë gjashtë persona të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë. Segmenti ku ndodhi aksidenti është një ndër më problematikët e Rrugës së Arbrit, për shkak të mungesës së sinjalistikës, kthesave të rrezikshme dhe mosmirëmbajtjes së vazhdueshme nga firma kontraktuese.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit