Prej 12 ditësh, naftëtarët e “Bankers Petroleum” në Marinzë po qëndrojnë në grevë urie, duke sakrifikuar shëndetin e tyre për dinjitetin dhe të drejtat themelore të punës. Gjendja shëndetësore e disa prej tyre, si Dorjan Dylmishi dhe Dritan Rrapushi, është përkeqësuar ndjeshëm gjatë ditës së sotme, ndërsa institucionet shtetërore vazhdojnë të heshtin.
Kjo heshtje është e papranueshme dhe përbën një shpërfillje të plotë të përgjegjësisë ndaj qytetarëve që mbajnë në këmbë një sektor strategjik për ekonominë e vendit. Kompania “Bankers Petroleum” vazhdon të tregojë arrogancë dhe mungesë respekti ndaj punëtorëve të saj, duke refuzuar kërkesat e tyre legjitime për rritje të pagave, trajtim ushqimor dinjitoz dhe zbatimin e ligjit për statusin e naftëtarit.
Të gjitha këto kërkesa nuk janë luks, por kushte minimale për një jetë dhe punë me dinjitet. Ndërkohë që kompania gjeneron fitime të mëdha nga pasuritë natyrore të vendit tonë, punëtorët e saj detyrohen të rrezikojnë jetën për t’u dëgjuar. Grevistët i bëjnë thirrje institucioneve shtetërore, të ndërhyjnë menjëherë për zgjidhjen e kësaj situate.