Reshjet intensive të shiut që kanë përfshirë vendin këtë të diel, më 26 tetor, kanë sjellë përmbytje dhe vështirësi të shumta në qarkun e Shkodrës. Situata më e rënduar raportohet në bashkinë Vau i Dejës, ku disa banesa në njësitë administrative Bushat, Vau Dejës dhe Hajmel janë përmbytur. Lumi Glinë paraqet rrezik për dalje nga shtrati, duke kërcënuar përmbytjen e afro një të tretës së territorit të qytetit.
Edhe në bashkinë Fushë Arrëz janë shënuar problematika për shkak të rrëshqitjeve të gurëve dhe inertesh në rrugët rurale, si dhe prezencës së ujit në disa akse rrugore, çka ka vështirësuar qarkullimin. Në bashkinë Shkodër, njësia administrative Gur i Zi po përballet me vështirësi për shkak të prurjeve të mëdha të ujit në përroin lokal, duke rrezikuar urën dhe qarkullimin e banorëve.