Një “përplasje” diplomatike po zhvillohet në heshtje mes Tiranës dhe Dakës, ndërsa ish-oficeri i lartë i policisë së Bangladeshit, Sohel Rana, ndodhet në një burg në Shqipëri dhe kërkon azil politik për të shmangur ekstradimin drejt vendit të tij.
Rana, i njohur si biznesmen dhe ish-inspektor policie në kryeqytetin Daka, është një nga personat më të kërkuar në Bangladesh për një mashtrim financiar gjigant të lidhur me kompaninë online E-Orange, një platformë tregtare që u zhduk duke lënë pas dhjetëra qytetarë të dëmtuar dhe një humbje të vlerësuar në mbi 93 milionë euro.
Sipas mediave bangladeshe, përfshirë të përditshmen Prothom Alo, autoritetet e Dakës kanë dërguar kërkesa zyrtare për ekstradimin e tij në Shqipëri, por deri më tani Tirana nuk ka dhënë asnjë përgjigje. Zyrtarë të policisë së Bangladeshit konfirmojnë se janë në pritje të një vendimi nga drejtësia shqiptare, ndërkohë që Rana ka marrë statusin e paraburgimit për arsye sigurie.
Sohel Rana pretendon se ndaj tij po zhvillohet një gjueti politike, duke lidhur çështjen me afërsinë e tij me ish-kryeministren Sheikh Hasina. Ai argumenton se kthimi në Bangladesh do ta vendoste përballë rrezikut të dënimit me vdekje. Në kërkesën për azil të dorëzuar në gjykatat shqiptare, ai pretendon se akuzat ndaj tij, përfshirë edhe një çështje për vrasje, janë të fabrikuara. Avokati i tij në Tiranë thekson se, sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Shqipëria nuk mund të ekstradojë një person në një vend ku ekziston mundësia e dënimit kapital.
Sipas të dhënave zyrtare, Sohel Rana është nën hetim në nëntë çështje penale në Daka, përfshirë përvetësim fondesh, mashtrim dhe pastrim parash, dhe është subjekt i një njoftimi të kuq të Interpolit, lëshuar në vitin 2022. Pas shpërthimit të skandalit financiar, Rana u arratis fillimisht në Indi, ku u arrestua në kufi teksa përpiqej të kalonte në Nepal. Pas lirimit për arsye shëndetësore, ai u zhduk, duke u gjurmuar më pas në Portugali dhe përfundimisht në Shqipëri, ku u arrestua më 1 shkurt 2025 në aeroportin “Nënë Tereza”.
Policia e Bangladeshit mohon kategorikisht pretendimet për akuzë vrasjeje, duke i cilësuar ato si përpjekje për të shmangur drejtësinë. Hetuesit bangladeshas kanë kërkuar tashmë nga Interpoli rinovimin e urdhërarrestit ndërkombëtar, me qëllim që Rana të ekstradohet dhe të përballet me gjykatat e Dakës për mashtrimin që ka prekur mijëra qytetarë.