Në lagjen Bozhe të Kukësit, durimi i banorëve ka arritur në kufijtë e absurdit. Dy herë janë marrë fonde për rregullimin e rrugës, por asnjëherë nuk është hedhur as një grusht asfalt. Ajo që duhej të ishte një rrugë për qytetarë, sot është kthyer në një shteg baltërash, gropash dhe zhgënjimi.
Banorët, të lodhur nga premtimet boshe, janë detyruar të marrin lopatat dhe të mbushin vetë gropat që të mos thyenin makinat e as të rrëzoheshin fëmijët. Ata tregojnë vendet ku uji dhe balta mbytin çdo hap në ditët me shi.
Ironia qëndron në faktin se pikërisht në këtë lagje Kryeministri pati zhvilluar një takim publik dhe kërkoi që rruga të shtrihej me asfalt, por fjala e dhënë ka mbetur në baltën e Bozhes, ashtu si rruga vetë.
Në një qytet të vogël si Kukësi, ku çdo rrugë dhe çdo premtim duhet të kenë peshë, mosveprimi i institucioneve është më shumë se neglizhencë, është tallje me njerëzit që paguajnë taksa dhe jetojnë mes baltës. Banorët e Bozhes nuk kërkojnë shumë, vetëm që fondet të mos merren për herë të tretë pa lënë gjurmë dhe që fëmijët e tyre të mos rriten në baltë, ndërsa pushtetarët flasin për investime historike nga ekranet e zyrave të ngrohta.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje JOQ, du të tregoj në lidhje me lagjen Bozhe, Kukës ku dy herë është marrë fondi por akoma nuk është rregulluar, jemi detyruar si lagje të rregullojmë të paktën gropat të cilat janë për tu rregulluar. Kryeministri kishte një takim në lagjen tonë dhe i tha Bashkisë, rradhës tjetër kur të vi dua ta shikoj të shtruar me asfalt. Ju lutem publikojeni sepse ka fëmijë të vegjel kur koha bëhet keq vështriësohet gjithçka!!