Një 41-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet greke, është arrestuar në aeroportin “Valerio Catullo” të Veronës. Burri ishte subjekt i një urdhër-arresti evropian, pasi dyshohet se në vitin 2016 kishte kryer një grabitje prej 130,000 eurosh në zonën e Stoupas, Greqi. Ai u ndalua nga policia kufitare italiane gjatë kontrolleve rutinë, në momentin që po përgatitej të hipte në një fluturim drejt Tiranës.
Sipas mediave greke, 41-vjeçari kishte fituar besimin e viktimës, e cila e kishte punësuar më parë për punë bujqësore. Ai dyshohet se ka përfituar nga kjo marrëdhënie për të marrë informacione mbi zakonet dhe mënyrën se si viktima ruante paratë. Më pas, sipas akuzës, ka hyrë me forcë në makinën e ish-punëdhënësit të tij, të parkuar pranë një restoranti, duke marrë një kuti laptopi që përmbante shuma të mëdha parash në kartëmonedha të ndryshme.
Pas arrestimit, shqiptari u shoqërua në komisariat për marrje në pyetje dhe më pas u transferua në burgun e Montorios. Autoritetet italiane kanë konfirmuar se ai do të mbahet në paraburgim deri në përfundim të procesit të ekstradimit drejt Greqisë, ku pritet të përballet me akuzat për grabitje të organizuar – një vepër që sipas ligjit evropian dënohet me mbi tre vjet burg.