Kombëtarja shqiptare ndodhet në një moment vendimtar të rrugëtimit të saj drejt “Play Off”-it të Botërorit. Për të mbajtur gjallë ëndrrën e madhe, kuqezinjtë duhet të fitojnë me patjetërndaj Andorrës, e më pas të shpresojnë që Anglia të ndalë Serbinë. Aktualisht, Shqipëria numëron 11 pikë pas 6 ndeshjeve, ndërsa maksimumi që mund të arrihet është 17 pikë, një kuotë që, edhe pse jo rekord, do të vuloste matematikisht pjesëmarrjen në fazën pasuese.
Historikisht, kuqezinjtë kanë bërë më mirë në aspektin e pikëve, por jo gjithmonë fati ka qenë në anën tonë. Rekordi mbetet ai i kualifikueseve për Botërorin e kaluar, ku Shqipëria mbylli grupin me 18 pikë pas 10 ndeshjeve, duke marrë 6 fitore, por humbur 4 përballje direkte me Anglinë dhe Poloninë. Megjithatë, mesatarja aktuale prej 1.83 pikësh për ndeshje është një tregues i qartë se ekipi ka bërë hapa përpara në stabilitet dhe efikasitet.
Nëse Shqipëria arrin të mundë Andorrën dhe pëson humbje nga Anglia, një skenar realist në letër – atëherë mesatarja do të zbriste në 1.75 pikë për ndeshje, pak më poshtë se ajo e vitit të rekordit, por sërish në nivel elitar për standardet e kuqezinjve. Krahasuar me fushatat e kaluara, kjo është një nga ecuritë më të mira të Kombëtares. Kujtojmë se në kualifikueset e Botërorit 2010, Shqipëria mbylli grupin me vetëm 7 pikë, ndërsa në ato të 2014-ës arriti në 11, dhe në 2006-ën kishte 13 pikë pas 12 ndeshjesh.
Në grupin aktual me pesë ekipe, Anglia është e vetmja e kualifikuar matematikisht, ndërsa lufta për vendin e dytë mbetet e hapur. Shqipëria është skuadra me më pak pikë mes ekipeve që ndjekin objektivin e “Play Off”-it, por gjithçka mbetet e mundur në dy ndeshjet e fundit. Për momentin, Italia kryeson renditjen e vendeve të dyta me 15 pikë, ndërsa Norvegjia ruan primatin me 6 fitore në po aq ndeshje.
Një fitore ndaj Andorrës do të mbante gjallë shpresën dhe do të shtynte kuqezinjtë drejt historisë. Sepse, në fund, më shumë sesa statistikat, është pasioni dhe forca e skuadrës që vendosin nëse ëndrra e madhe bëhet realitet.