Rastet e abuzimeve nga ata që mbajnë uniformën e policisë, një uniformë që në shumë vende të botës konsiderohet e shenjtë, po shtohen çdo ditë. Dhe kur ligji shkelet nga ata që duhet ta zbatojnë, qytetarëve u mbetet vetëm ironia si mburojë.
Këtë herë, skandali vjen nga Shkodra, qyteti që njihet si djepi i kulturës, por që duket se nuk po i shpëton dot kulturës së pandëshkueshmërisë. Sipas pamjeve filmike të siguruara, një person që disponon një tabelë policie ka parkuar makinën drejt e mbi trotuar, aty ku kalojnë qytetarët, fëmijët, nënat me karroca, të moshuarit.
Ndërkohë që qytetarët ndëshkohen pa mëshirë për çdo parakalim të gabuar apo parkim të vogël, “forcat e rendit” shkelin vetë çdo rregull. Dhe sigurisht, pa asnjë gjobë, pa asnjë ndëshkim. Sepse në këtë vend, ligji duket se ndalon vetëm për njerëzit pa tabela blu.
Në Shkodër, si në shumë qytete të tjera, uniforma e policisë po përdoret gjithnjë e më shpesh si mburojë për shkelje, jo si simbol përgjegjësie. E derisa dikush të mbajë përgjegjësi për këto akte që turpërojnë institucionin, qytetarëve do t’u duhet të ecin në rrugë, sepse trotuarët tanë, tashmë, janë të pushtuar nga “rendinbajtësit” e vetëshpallur.