Berisha “paralajmëron arratisjen” e Tom Doshit, kreu i PSD i kthehet me një puro dhe kafe në zemër të Tiranës

Shkruar nga: I Cani | Publikuar më: 24.10.2025, 14:55

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka publikuar një reagim në rrjetet sociale, ku pretendon se ndaj kreut të PSD-së, Tom Doshi, është lëshuar një urdhër-arresti, ndërsa akuzon SPAK-un për “manipulim të informacionit”. Sipas tij, Doshi është larguar drejt një vendndodhjeje të panjohur për t’i shpëtuar arrestimit të paralajmëruar, për t’u paraqitur më pas “në SKAP”.

“Toma ia mbathi! Miq, gosipi i qytetit gumëzhiti mbrëmë anë e kënd e qoshe-qoshe të Tiranës se Tom Doshi u arrestua, se Tom Doshit i kanë prerë urdhër-arrestin skapistët e partisë dhe se Tom Doshi ishte diku larg apo te Rrapi e Treshit dhe sot në mëngjes do paraqitej burrërisht në SKAP për t’u burgosur. Sot në mëngjes gosipin e mori era dhe bashkë me të edhe urdhër-arrestin për Doshin, aleatin besnik të Ramaduros. Toma, që pardje ishte në Skap dhe dje u largua në drejtim të paditur, mbasi u urdhërua që t’ia mbathi. Rroftë drejtësia e Partisë së Krimit”, shkruan Berisha në postimin e tij.

Nga ana tjetër, nuk ka munguar kundërpërgjigjja e Tom Doshit, i cili ka reaguar përmes një postimi në “Facebook”, duke e përgënjeshtruar Berishën. Ai ka publikuar një foto ku shfaqet duke pirë kafe në qendër të Tiranës, pranë selisë së PD-së, dhe i është drejtuar Berishës me tone të ashpra.

“O Sali mashtruesi! Për 20 vjet ke shpif kundër meje. Nuk jam largu, jam këtu, në mes të Tiranës duke e pi kafen mes miqsh e jo mes paranojash. Nuk frikësohem se nuk e kam vjedhur popullin si ti!”, shkruan Doshi.

Polemika mes dy politikanëve është pasuar me replika të ashpra publike, në një kohë kur të dy emrat përmenden gjithnjë e më shpesh në lidhje me hetimet e SPAK-ut, duke e kthyer këtë përplasje në një tjetër episod të tensionit politik të ditëve të fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit