Rasti i kreut të Prokurorisë së Fierit, Elion Mustafaj, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi reagimin e institucioneve të drejtësisë, pasi bashkëshortja e tij rezulton e punësuar në kompaninë e një trafikanti të dënuar në Angli dhe SHBA. Dokumentet tregojnë se lidhja me shtetasin Dorian Puka, i dënuar për grabitje dhe trafiqe ndërkombëtare, nuk është deklaruar nga prokurori në formularin e dekriminalizimit dhe gjatë procesit të vettingut, çka përbën shkelje të rëndë ligjore.
Sipas “Pamfleti”, bashkëshortja e tij, Najada Ndreko Mustafaj, punon në kompaninë “PUKA LLC”, të regjistruar në SHBA dhe në pronësi të Dorian Pukës, i cili rezulton me disa dosje hetimore edhe në Shqipëri për pastrim parash dhe trafiqe. Kjo lidhje e drejtpërdrejtë, e pashënuar në vetting, ngre dyshime për konflikt të hapur interesi dhe përfitime të mundshme të paligjshme, duke kompromentuar integritetin e prokurorit Mustafaj.
Megjithëse rasti është flagrant dhe i dokumentuar publikisht, Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, kryetarja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë Mirela Bogdani, Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani dhe kreu i SPAK, Altin Dumani, nuk kanë urdhëruar fillimin e hetimit ndaj Elion Mustafajt, pavarësisht indicieve të qarta të shkeljes së ligjit. Mungesa e reagimit dhe e një hetimi zyrtar ndaj një drejtuesi të prokurorisë që dyshohet për fshehje të të dhënave dhe lidhje me individë me precedentë penalë ngre shqetësime të thella për standardet e zbatimit të ligjit dhe besueshmërinë e reformës në drejtësi.