Redaksia e JOQ Albania ka raportuar së fundmi për disa raste grabitjesh të përsëritura në kryeqytet, ku protagonisti është një i mitur që duket sikur e ka kthyer zanatin në profesion. Me kaçavidë e levë në dorë, ai hap dyert e kioskave, merr xhiron ditore të bizneseve dhe largohet pa lënë gjurmë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Pamjet tregojnë se gjithçka ndodh me qetësi kirurgjikale, si në ndonjë film të keq me grabitës amatorë. Vetëm se ky “aktor” është real dhe lë pas pasoja të rënda për tregtarët që përpiqen të mbijetojnë çdo ditë.
Në dy raste të tjera të regjistruara në Tiranë, i njëjti i mitur është parë teksa tenton të hyjë në dyqane me të njëjtën taktikë, por pa sukses. Pasi përballet me pengesa, largohet si të mos ketë ndodhur asgjë, gati për të provuar përsëri diku tjetër.
Ndërkohë, pavarësisht denoncimeve dhe pamjeve që flasin vetë, policia e shtetit vazhdon të qëndrojë spektatore. I mituri vazhdon i qetë “turnin e natës”, ndërsa bizneset mbeten pa gjumë dhe qyteti pa siguri. Sepse në fund, duket se më e lehtë është të ndëshkosh ndonjë motorist pa helmetë, sesa një hajdut që bën ligjin në mes të Tiranës.