Prej më shumë se tre orësh, dhjetëra qytetarë po presin në radhë para shërbimit të Okulistikës në Spitalin Francez, ndërsa ata që janë brenda nuk mund të dalin jashtë për shkak të rrëmujës së krijuar. Pamjet tregojnë pacientë të lodhur, mes tyre edhe të moshuar që torturohen nga pritja pa fund.
Situata është kthyer në kaos, me njerëz që përpiqen të hyjnë njëkohësisht dhe pa asnjë sistem të qartë menaxhimi. Qytetarët që ndodheshin aty shprehen të indinjuar për mungesën e organizimit dhe kërkojnë një zgjidhje të thjeshtë, vendosjen e një sistemi me numra radhe, siç zbatohet në shumë vende të tjera.
Mesazhi denoncues i qytetarit:
Përshëndetje! Kanë 3 orë që shtyhen kush do hyje dhe ato që janë brenda nuk dalin dot jashtë. Ka pleq që po qajnë se janë të lodhur duke pritur, jo nga dhimbja por nga pritja. Spitali, Francez, Okulistika. Jetoj jashtë dhe është shumë e thjeshtë të vendosësh radhën duke vendosur ca letra me nr, që kush shkon merr një numër dhe numrat dalin në një ekran! E thjeshtë dhe pa stres për njerëzit. Ajo nëna në fund të videos ka që në 8 këtu me çfarë kuptova.