CEO i Bankers Petroleum, Hongping Xiao, dhe ish-drejtori Leonidha Çobo kanë kërkuar ndryshim mase në Gjykatën e Lartë dhe informacion mbi hetimet dy mujore përmes avokatëve të tyre. Të dy ndodhen në burg që nga korriku, ndërsa prokuroria e Fierit ka shpallur moskompetencë dhe ka transferuar dosjen te Prokuroria e Posaçme për veprime të mëtejshme, pasi gjatë hetimeve dolën në dritë elementë të rinj që përfshijnë korrupsion dhe lidhje me grupe të strukturuara kriminale.
Drejtuesit e Bankers akuzohen për mashtrim, pastrim parash dhe abuzim me detyrën, ndërsa katër persona të tjerë janë shpallur në kërkim. Sipas prokurorisë, ata shtuan shpenzimet e kompanisë përmes kontratave të dyshimta dhe transferimeve me palë të lidhura, duke shkaktuar humbje dhe mospagesë të tatimit mbi fitimin në buxhetin e shtetit. Që nga themelimi në 2004, Bankers ka shitur naftë me vlerë 532 miliardë lekë, por ka deklaruar shpenzime prej 684 miliardë lekësh.
Kjo ka ngritur dyshime për motivet e pronarëve të panjohur dhe mënyrat e mundshme për të transferuar fitimet jashtë kompanisë, ndërsa prokurorët vijojnë hetimet për të kuptuar nëse operacionet e kompanisë janë të ligjshme dhe të qëndrueshme.