Vrasja e biznesmenit italian në Tepelenë, autori Sulçaj: Do të dëshmoj në gjykatë

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 24.10.2025, 10:33

Kamber Sulçaj, i dyshuar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Tepelenë më 27 shtator, ka vendosur të mos japë deklarata për ngjarjen dhe të shprehet vetëm në gjykatë, sipas burimeve nga Prokuroria e Gjirokastrës. 48-vjeçari u vetëdorëzua më 16 tetor dhe dy ditë më pas u la në burg pa afat. Ngjarja ndodhi në rrugën që lidhte shtëpinë e pushimit të mikut të Sarchit, Eqerem Braçit, me vendin ku dy djemtë e këtij të fundit kishin pësuar defekt me makinën gjatë një gjuetie.

Sipas hetimeve, Sulçaj i ka ndjekur Sarchin dhe mikun e tij ndërsa po shkonte për t’i ndihmuar djemtë e Braçit, dhe ka qëlluar me armë gjahu drejt automjeteve të tyre. Një plumb rikoshet në asfalt dhe godet biznesmenin italian në këmbë, duke i shkaktuar vdekjen. Autoritetet e identifikuan Sulçajn pas shqyrtimit të kamerave të sigurisë, ndërsa ai u arratis në zonë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë. Gjetja e automjetit të tij dhe disa mjeteve, përfshirë dylbi termik dhe rreze infra, ndihmoi policinë në hetime.

Kamber Sulçaj rezulton të jetë aksioner në një gurore në Brataj të Selenicës dhe posedon edhe një stan me bagëti. Familjarët e tij kanë precedentë penalë; në maj 2021, vëllai i tij Gazmend dhe kushëri i tyre Roel u arrestuan në Vlorë me 2632 fara kanabisi për kultivim dhe shpërndarje. Ngjarja e rëndë tronditi komunitetin lokal dhe ka ndezur shqetësime mbi sigurinë dhe precedentët kriminalë të familjes Sulçaj.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit