Pushuesit që prenotojnë paketë turistike “all-inclusive” kanë të drejtë të kërkojnë kompensim të plotë të pagesës, nëse shërbimi dhe kushtet e pushimeve nuk përmbushin standardet e premtuara, konfirmon një vendim i Gjykatës Europiane me seli në Luksemburg. Sipas trupës së gjyqtarëve, edhe nëse pushuesit kanë shfrytëzuar vetëm pjesërisht paketën, pagesa e plotë duhet t’u rikthehet nëse pushimet kthehen në shqetësim dhe humbasin interesin për to, raporton DW.
Rasti konkret lidhet me pushues polakë që prenotuan një hotel pesë yjesh në Shqipëri. Në mbërritje, ata u përballën me zhurmë të fortë nga shembja e pishinës së hotelit, e cila zgjati katër ditë, ndërsa më pas, në ditët e fundit, filluan punime ndërtimi për zgjerimin e objektit. Përveç kësaj, ushqimi ishte i kufizuar dhe radhët e gjata e bënë përvojën e pushuesve të pakëndshme.
Gjykata polake, që shqyrtoi rastin, iu drejtua Luksemburgut për interpretimin e ligjit të BE-së. Gjykata Europiane vendosi se pushuesit kanë të drejtë të kërkojnë kthimin e plotë të pagesës, ndërsa operatori turistik nuk mund të dënohet me gjobë. Megjithatë, gjykata kombëtare polake duhet të sqarojë nëse operatori apo menaxheri i hotelit ishin të informuar për procedurat e shembjes dhe nëse mund të parashikonin mangësitë, për të vendosur përfundimisht detyrimin për kompensim.