Vetëm 17 kilometra larg qendrës së Tiranës po ndodh një katastrofë mjedisore, urbane dhe historike, nën hundën e shtetit që bën sikur nuk sheh.
Rruga që lidh Pezën me Tiranën është kthyer në një “autostradë” kamionësh me tonazh mbi 35 ton, që kalojnë jashtë çdo kriteri ligjor, duke shkatërruar asfaltin, dëmtuar bordurat dhe rrezikuar përditë jetën e banorëve.
Kamionët lëvizin me shpejtësi, orar pa orar, ndërsa rruga është drejt shembjes totale. Pluhuri, zhurma dhe rreziku për aksidente janë bërë pjesë e përditshme e jetës në këtë zonë që dikur ishte ndër më të bukurat për turizëm natyror dhe historik.
Dikur, në hyrje të rrugës, një tabelë ndalonte qarkullimin e mjeteve mbi 6.5 ton. Sot ajo tabelë është zhdukur dhe pasojat janë të dukshme.
Banorët e zonës thonë se liqeni “Fjolla” po ndotet rëndë nga guroret përreth, ndërsa Kalaja e Dorëzit, një pasuri historike unike, po dëmtohet nga shpërthimet dhe tronditjet e vazhdueshme që lejojnë autoritetet pa asnjë kontroll. Banorët kanë ngritur dhjetëra ankesa, por institucionet kanë zgjedhur heshtjen.
Ata thoné se Autoriteti Rrugor Shqiptar, Policia e Shtetit, IKMT, Ministria e Brendshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Bashkia e Tiranës të gjithë heshtin sikur Peza të mos jetë më pjesë e hartës.
Banorët kërkojnë hetim të menjëhershëm për zhdukjen e tabelës së ndalimit, ndalimin e kamionëve të tonazhit të lartë, mbylljen e guroreve që ndotin dhe dëmtojnë trashëgiminë historike, si dhe marrjen e përgjegjësive për dëmet tashmë të bëra.
Denoncimi i banorëve:
Prsh joq kemi nje shqetesim shume te madh ! SKANDAL në Pezë! Rruga po shkatërrohet nga kamionët e tonazhit të rëndë, liqeni Fjolla po ndotet, Kalaja e Dorëzit po dëmtohet… dhe SHTETI HESHT!
Në Pezë, vetëm 17 kilometra larg qendrës së Tiranës, po ndodh një katastrofë urbane, mjedisore dhe historike, nën hundën e shtetit që bën sikur nuk sheh.
Rruga që lidh Pezën me Tiranën është shndërruar në një “autostradë” kamionësh të tonazhit të lartë me peshë mbi 35 ton që kalojnë jashtë çdo kriteri ligjor, duke rrezikuar banorët dhe shkatërruar përfundimisht infrastrukturën.
Kamionët kalojnë orar pa orar, me shpejtësi marramendëse, duke kthyer rrugën në një pistë të rrezikshme për banorët që ecin më këmbë dhe drejtuesit e tjerë të mjeteve. Rruga është drejt shkatërrimit total, çdo ditë çahen bordurat, dëmtohet asfalti, ngrihen re pluhuri dhe rritet rreziku për aksidente.
Kjo është një kërcënim i përditshëm për jetën, dhe është drejtpërdrejt përgjegjësi e institucioneve që nuk bëjnë asgjë!
Dikur, në hyrje të rrugës që nga Lapidari, një tabelë ndalimi paralajmëronte se mjetet mbi 6.5 ton nuk lejoheshin. Sot, ajo tabelë është zhdukur! Kush e hoqi? Me urdhër të kujt? Në emër të cilit interes?! Kjo është një vepër kriminale, që duhet urgjentisht hetuar!
Videoja e bashkëngjitur e tregon qartë dhe nuk është rastësi, është një skemë e heshtur dëmtimi publik.
Rruga është ndërtuar në vitin 2014 për banorët dhe vizitorët, sepse Peza është një nga zonat më të bukura për turizëm natyror dhe historik. Sot, me qindra kamionë që lëvizin me shpejtësi, rruga po shembet. Rreziku për jetën është real. Askush nuk kontrollon, askush nuk përgjigjet. Banorët kanë bërë dhjetëra ankesa, por ato janë heshtur ose anashkaluar. Kjo nuk është neglizhencë, kjo është bashkëfajësi!
Kalaja e Dorëzit, një trashëgimi historike unike, ndodhet fare pranë shpërthimeve të guroreve, duke u dëmtuar nga tronditjet dhe eksplozionet që lejojnë autoritetet pa u shqetësuar.
Në një kohë kur shteti bën shfaqje me “aksione” për ndërtimet në Theth apo ndalimin e dyqaneve që zënë trotuaret, në mes të Tiranës po lejon shkatërrimin e historisë dhe mjedisit në heshtje. Ky është standard i dyfishtë! Kjo është hipokrizi shtetërore.
Ne kërkojmë:
-Hetim të menjëhershëm: Kush e hoqi tabelën e ndalimit dhe për interes të kujt?
-Ndërprerje të menjëhershme të qarkullimit të kamionëve të tonazhit të lartë në këtë rrugë.
-Inspektim dhe mbyllje të guroreve që ndotin liqenin dhe rrezikojnë kalanë historike.
-Marrje përgjegjësie nga institucionet për dëmet tashmë të bëra.
Autoriteti Rrugor Shqiptar Policia e Shtetit Ministria e Brendshme Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit – IKMT Policia Bashkiake Tiranë Ministria e Turizmit dhe Mjedisit Bashkia e Tiranës
Ku jeni? Apo Peza nuk hyn më në hartën tuaj !