Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, është marrë zyrtarisht i pandehur nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) nën akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”. Hetimet ndaj tij lidhen me dyshimet për blerje votash në favor të Partisë Socialdemokrate gjatë procesit zgjedhor. Burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se Shkrelit i është komunikuar zyrtarisht akuza, ndërsa dosja po përgatitet për t’u dërguar në gjykatë.
Kërkesa e SPAK për kalimin e çështjes në proces gjyqësor do të shqyrtohet nga gjyqtarja Flora Hajredinaj. Nëse vendoset që çështja të shkojë në gjyq, Shkreli do të përballet me akuzën e blerjes së votave, një vepër penale që parashikon dënime të rënda sipas Kodit Penal.
Në kuadër të këtij hetimi, gjatë muajit maj, GJKKO urdhëroi sekuestrimin e celularit të Shkrelit dhe ushtrimin e një kontrolli në banesën e tij. Po ashtu, SPAK ka sekuestruar edhe telefonat e disa eksponentëve të tjerë të Partisë Socialdemokrate, të cilët dyshohen se kanë qenë të përfshirë në shitblerjen e votave në qarkun e Shkodrës.