Në një botë ku shpesh ankohemi për monotoninë dhe ritmin e shpejtë të jetës, dy burra nga fshati Panaja i Vlorës na kanë dhënë një leksion të vërtetë gëzimi dhe energjie.
Në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një video e veçantë, e filmuar pak ditë më parë gjatë një gëzimi familjar. Protagonistët janë dy kushërinj, të dy gjyshër me nipër e mbesa, njëri 63-vjeç, tjetri 77, të cilët vërtetë frymëzojnë me shpirtin e tyre rinor.
Në mes të festës, me një pasion për t’u pasur zili, ata kanë marrë në dorë “skenën” duke vallëzuar nën ritmet e këngës legjendare të Pitbull “I Know You Want Me (Calle Ocho)”, një hit global i realizuar në vitin 2009.
Lëvizjet e tyre plot energji, sinkronizimi perfekt dhe buzëqeshjet e sinqerta i kanë bërë të pranishmit ta shijojnë.
Videoja është kthyer në një moment që të bën të ndalosh e të mendosh: gëzimi nuk ka moshë, rinia nuk matet me vite, por se si ndihesh vërtetë. Jo më kot një këngë e vjetër shqiptare thotë: 'Robi s'plaket kur vjen mosha, robi plaket kur do vetë'.
Dy gjyshërit nuk kërcyen thjesht për të argëtuar familjen, ata na kujtuan se jeta është për t’u jetuar me dashuri, gëzim dhe energji pozitive.
Në Panajë, moshën mund ta tregojë vetëm karta e identitetit, por jo shpirti. Bravo për gjyshërit e Panajas: që na mësuan se kur kërcen me shpirt, jeta të duartroket!