Në rrugën “H.S. Koçi”, përballë kopshtit “Beni ecën vetë”, në Bulevardin “Bajram Curri”, banorët po jetojnë mes pluhurit, baltës dhe gropave. Punimet që u hapën disa muaj më parë për të ndrequr një tub, janë lënë përgjysmë, duke e kthyer zonën në një hapësirë të pasigurt për këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve.
Makinat dëmtohen çdo ditë nga rruga e amortizuar, ndërsa pluhuri ka mbuluar çdo cep të lagjes. Familjet ankohen se ajri është bërë i papërballueshëm, veçanërisht për fëmijët e vegjël që kalojnë çdo ditë aty për të shkuar në kopsht apo shkollë.
Problemet shtohen edhe nga vendosja e kazaneve të plehrave në një vend tërësisht të papërshtatshëm. Për t’i përdorur, banorët detyrohen të kalojnë mes makinave që qarkullojnë nga të dyja anët e rrugës, duke rrezikuar aksidente.
Pavarësisht ankesave të përsëritura, institucionet lokale nuk kanë marrë ende masa konkrete. Rruga mbetet e hapur, kazanet në vend të gabuar dhe banorët në pritje që dikush të kujtohet se pas çdo premtimi publik, ka njerëz që çdo ditë thithin pluhur dhe ecin në baltë.
Mesazhi i qytetarit:
Kjo është te Bulevardi Bajram Curri, rruga H.S. Koçi, përballë kopshtit Beni ecën vetë. E hapën për të rregulluar një tub dhe ka disa muaj që e kanë lënë kështu, na shkatërruan makinat dhe na mbyti pluhuri dhe balta. Fëmijët e vegjël i helmuan me pluhur. Problem është dhe vendosja e kazanëve të plehrave në një vend të papërshtatshëm, kam nbërë kërkesë në Bashki dhe nuk e ndryshojnë vendndodhjen me pretekstin që janë përcaktuar që në kohën e Xhaxhit.