Të gjithë janë të vetëdijshëm për nivelin e lartë të ndotjes që mbart lumi “Lana”, i cili është i vetmi lumë që përshkon Tiranën.
Në të derdhen ujëra të zeza, detergjentë dhe mbetje të ndryshme, duke e kthyer atë në një nga lumenjtë më të ndotur të vendit. Gjatë verës, era e rëndë që vjen prej tij bëhet pothuajse e padurueshme.
Si të mos mjaftonin këto problematika, përgjatë shtratit të lumit në zonën e Laknasit janë hedhur sasi të mëdha mbetjesh plastike dhe kartonësh. Pamjet që redaksia jonë ka siguruar e dëshmojnë qartë këtë “masakër” mjedisore, ndërkohë që institucionet e pushtetit lokal nuk ndërmarrin asnjë nismë për pastrimin e zonës.
“Kjo situatë ndodh në kryeqytetin e Shqipërisë, në Tiranë, në territorin e Bashkisë Kamëz. Përveç aromës së rëndë që vjen nga ujërat e zeza të lumit Lana, tani janë shtuar edhe mbeturinat. Plehrat që vijnë e bllokojnë akoma më keq lumin. Askush nuk vjen që të bëjë ndonjë pastrim të lumit që vazhdon rrjedhën e tij. Mban aromë shumë të keqe. Ju lutemi publikojeni,” shprehet një qytetar.
Për sa kohë institucionet nuk marrin masa konkrete për ndëshkimin e ndotësve dhe pastrimin e lumit, papastërtia do të vazhdojë të mbizotërojë në këtë zonë.