Një grup studentësh të Universitetit “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan denoncojnë mungesë të plotë transparence nga ana e institucioneve akademike, pasi sipas tyre, fondet e miratuara për mbështetje financiare nuk janë shpërndarë tek përfituesit. Sipas Vendimit nr. 10, datë 23.02.2024, të firmosur nga rektori Prof. Dr. Skënder Topi, ishte miratuar një fond prej 9,000,000 lekësh për 25 studentë të degëve prioritare. Megjithatë, më shumë se një vit pas këtij vendimi, studentët thonë se nuk kanë marrë asnjë pagesë dhe nuk kanë marrë asnjë shpjegim nga universiteti për vonesat apo fatin e fondeve.
Ata pohojnë se kanë gjetur listën e përfituesve të publikuar fillimisht në faqen zyrtare të universitetit, por më pas ajo është fshirë, duke mbetur vetëm faqja e parë e vendimit. Studentët pretendojnë se u është thënë se “nuk janë fitues”, ndonëse emrat e tyre figuronin më parë në dokumentin zyrtar. Ata kërkojnë hetim dhe verifikim të menjëhershëm nga rektori Topi dhe Ministria e Arsimit drejtuar nga Mirela Kumbaro, duke theksuar se fondet publike të miratuara nuk duhet të zhduken apo të përdoren në mënyrë abuzive.
Denoncimi i mbërritur në redaksinë e JOQ Albania:
Përshëndetje JOQ! Dua të denoncoj një rast mungese transparence në Universitetin e Elbasanit "Aleksandër Xhuvani"! Sipas Vendimit nr. 10, datë 23.02.2024, të firmosur nga Prof. Dr. Skënder Topi, u miratua fondi prej 9,000,000 lekësh për mbështetje financiare të 25 studentëve për degët prioritare. Sot, më 21 tetor 2025, ka kaluar më shumë se një vit nga miratimi, por as unë (një nga studentët në listë) dhe as shumë të tjerë nuk kemi marrë asnjë pagesë. Deri tani, nuk është dhënë asnjë sqarim apo transparencë për arsyet pse fondet nuk janë shpërndarë ose KU KANË SHKUAR GJATË RRUGËS?! Ky është një rast serioz që kërkon hetim dhe verifikim të menjëhershëm nga institucionet përkatëse, pasi fondet publike të miratuara nuk duhet të mbeten pa u shpërndarë ose vjedhur. Sipas dokumenteve zyrtare të publikuara nga universiteti, fondet janë miratuar dhe është bërë shpërndarja për “25 studentë” përfitues. S’kanë marrë përgjigje konkrete, plus u kanë thënë se s’jeni fitues. Po, në fakt listën e gjeta vetë, se nuk na e kanë dhënë. Problemi është që lekët janë shpërndarë dhe nuk kanë shkuar aty ku duhet. Kur futesh në faqen e universitetit, e kanë hequr listën e bashkëngjitur. Po pra, listën (vendimin) e parë e gjeta në faqen e universitetit bashkë me emrat dhe kemi shkuar në rektorat dhe na thanë që s’jeni ju fitues, kur ndërkohë emrat tanë ishin aty. Dhe gjatë ditëve i kanë hequr emrat që kanë fituar. Kanë lënë vetëm faqen e parë.
