Vendimi për mbylljen e “TikTok-ut” një vit pas ngjarjes që tronditi mbarë vendin me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani në Tiranë, duket se nuk ka dhënë asnjë efekt te të rinjtë.
Në të vërtetë “TikTok” nuk u mbyll për asnjë ditë, pasi përdoruesin gjetën mënyra si “VPN” për ta aksesuar, ndërsa sot ku ka kaluar disa kohë nga ajo ngjarje, aksesi në këtë platformë është komplet i lirë dhe pa asnjë kufizim.
Të rinjtë krijojnë herë pas here trende të ndryshme, të cilat shpesh janë të rrezikshme për shëndetin e tyre. Njëjtë si ky trend, ku një i ri merr hov dhe hidhet sipër disa të tjerëve. Sfida të tilla shpesh kanë përfunduar në incidente shëndetësore.
Një rast i ngjashëm ka ndodhur jashtë gjimnazit “Said Najdeni” në Peshkopi. Të rinjtë që shihen në pamjet e siguruara nga redakisa jonë, janë mbledhur grup për të realizuar këtë sfidë. Në momentin që njëri prej djemve kërcen, shokët e tij nuk e mbajnë dot dhe ai bie sipër njërit prej tyre.
Të dy kanë marrë lëndime, ndërsa njëri ka përfunduar në spital.
Një dëshmitar shkruan: “Përfundon në spital i riu që luan këto lojëra të rrezikshme në gjimnazin e Peshkopisë. Nga kjo lojë duke i mbushur mendjen që të hidhej, gjoja të luanin dhe të qeshnin. Djalit poshtë i dhemb barku nga pesha dhe tronditja.
Për pak sa nuk ra në kokë dhe mund të ishte kthyer në tragjedi. Ka ndodhur jashtë derës së oborrit të gjimnazit “Said Najdeni”. InshaAllah nuk e merr njëri për inspirim apo gallatë e ta provojë sepse është shumë e rrezikshme.”
Apeli i “TVA News” shkon për të gjithë gjimnazistët dhe nxënësit e shkollave: Mos i provoni këtë lojëra që u rrezikojnë shëndetin.
Shkrimi u mor nga TVA News!