Një banor i Sukthit, prind i një nxënëseje në shkollën 9-vjeçare “Njazi Mastori”, ka ngritur shqetësimin për një rast të përsëritur bullizmi që, sipas tij, po i ndodh vajzës së tij nga bashkëmoshatarët në këtë institucion arsimor.
Ai ka treguar se vajza është kthyer disa herë në shtëpi në gjendje të rënduar emocionale, duke qarë dhe duke shprehur se është tallur, fyer dhe se i janë vendosur fletë me fjalë fyese pas shpine, pa dijeninë e saj. Sipas tij, këto episode nuk kanë qenë raste të izoluara, por janë përsëritur me kalimin e kohës.
Ai thotë se ka komunikuar disa herë me mësues dhe drejtues të shkollës, por përgjigjja që ka marrë ka qenë gjithmonë e njëjtë se këto gjëra ndodhin sepse janë fëmijë dhe as policia s’ka çfarë të bëjë.
Megjithatë, ai thekson se bullizmi ka vazhduar dhe vajza tani ndjen frikë për të shkuar në shkollë pasi as psikologia nuk shkon më.
Më 7 qershor, prindi shprehet se ka dorëzuar një ankesë zyrtare në Ministrinë e Arsimit, duke kërkuar ndërhyrje për të ndalur situatën, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje apo veprim konkret.
Ai thotë se e ndjen si detyrim moral dhe prindëror që të mos e lërë këtë çështje në heshtje, pasi raste të ngjashme po ndodhin edhe me fëmijë të tjerë të lagjes, të cilët, sipas tij, po bullizohen nga të njëjtit nxënës.
Ai ka bërë apel që rasti të bëhet publik, jo për të fajësuar askënd, por për të kërkuar drejtësi, ndërhyrje dhe mbrojtje për fëmijët që po lëndohen në heshtje.
Denoncimi i prindit:
“Jam prind i një vajze që ndjek shkollen Njazi mastori Sukth Vajza ime është viktimë e bullizmit të përsëritur nga bashkëmoshatarët e saj. Ajo ka ardhur në shtëpi disa herë duke qarë, duke thënë se e kanë fyer, e kanë tallur dhe madje i kanë vendosur fletë me fjalë fyese pas shpine.
Kam komunikuar disa herë me mësuesit dhe drejtuesit e shkollës, por përgjigjja që marr është gjithmonë: “janë fëmijë, ndodh”. Ndërkohë, bullizmi vazhdon dhe vajza ime tashmë ka frikë të shkojë në shkollë.
Kam bërë ankesë zyrtare me 7 qershor per marrjen e masave edhe në Ministrinë e Arsimit, por deri më sot nuk kam marrë asnjë përgjigje apo ndërhyrje. E ndjej detyrim moral dhe prindëror të mos e lë këtë në heshtje, sepse raste të tilla po përsëriten edhe me fëmijë të tjerë Komshi nga e njejta vajze dhe madje e kan vene kujdestare femijesh
Kërkoj ndihmën tuaj për ta bërë publik këtë rast, jo për të fajësuar askënd, por për të kërkuar drejtësi, reagim dhe mbrojtje për fëmijët që po lëndohen në heshtje.
Faleminderit që jepni zë rasteve që shumë prindër kanë frikë t’i denoncojnë.
