Kërkohet për vrasje, ‘Monopoli’ i Aurel Hoxhës jepet me qira për 3.8 mln lekë në muaj

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 23.10.2025, 13:42

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ka nxjerrë me qira lokalin “Monopol” në zonën e “Myslym Shyrit” në Tiranë, i cili është në pronësi të Aurel Hoxhës, një shtetasi të shpallur në kërkim dhe të akuzuar për vrasje. Ky lokal luksoz me sipërfaqe 388.75 m², ndodhet në një nga zonat më të njohura të kryeqytetit dhe ofrohet për qira me një çmim fillestar prej 380,000 lekë në muaj, rreth 4 mijë euro.

SPAK ka sekuestruar para dy javësh pasuritë e Aurel Hoxhës, me vlerë të përllogaritur rreth 5 milionë euro, përfshirë tri subjekte tregtare, 7 apartamente, 6 njësi tregtare, 32 automjete luksoze, mes tyre një Lamborghini Urus dhe një Rolls Royce Cullinan, si dhe 52 llogari bankare. Aurel Hoxha akuzohet se ka paguar 50 mijë euro për të porositur vrasjen e Klevis Lleshit, si hakmarrje për vrasjen e vëllait të tij, Agim Hoxha, në Angli.

Vrasja e Klevis Lleshit dyshohet se është kryer nga Sabah Nuzi, person i identifikuar nga hetimet si ekzekutori me pagesë. Klevis Lleshi është kushëriri i Arben Lleshit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Agim Hoxhës në vitin 2012. Ndërkohë, Arben Lleshi u vra në vitin 2023 në burg nga një i dënuar tjetër, ngjarje që dyshohet të ketë qenë gjithashtu me pagesë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit