Një episod sa i papritur, aq edhe argëtues ka ndodhur mëngjesin e sotëm gjatë udhëtimit të disa të rinjve, të cilët ndoshta po mendonin të shtonin shpejtësinë. Mes bisedave të tyre, njëri prej tyre pyeti “Ka radar ?” , por përgjigjja erdhi menjëherë, dhe jo nga ndonjë mik në makinë.
Nga një anë e rrugës, pas disa shkurreve, doli patrulla e policisë rrugore, e cila po monitoronte qarkullimin. Momenti u kthye menjëherë në një skenë gazmore, ndërsa të rinjtë, që nuk e prisnin një “pritë” të tillë, qeshën me situatën dhe u ndalën pa asnjë incident.
Në një kohë kur rrugët shpesh sjellin lajme të trishta, kjo ngjarje tregon se ndonjëherë edhe një “dalje nga shkurret” mund të sjellë të qeshura, kujdes dhe një kujtesë të vlefshme: radari nuk shihet gjithmonë, por rregullat duhen respektuar përherë.