Në pallatin “Miketa 2000” prej ditësh është krijuar një situatë e tensionuar mes banorëve dhe një firme private rrugësh që po punon në bashkëpunim me OSHE. Të enjten e kaluar në zonë mbërritën vinça dhe një person me jelek të kuq që pretendonte të ishte nga IKMT-ja, por sapo banorët nisën të filmonin ndërhyrjen, ai u largua pa dhënë asnjë shpjegim. Më vonë u mësua se firma që po kryente punimet ishte “Sireta 2000”, e cila nuk është prezantuar zyrtarisht para komunitetit.
Aktualisht, në hyrje të pallatit është vendosur një kabinë elektrike, pa asnjë miratim nga banorët apo administratori. Sipas tyre, kjo ndërhyrje është bërë në mënyrë të njëanshme, pa transparencë dhe në kundërshtim me interesin e komunitetit. Kallëzimi është bërë që ditën e shtunë, por deri tani asnjë institucion nuk ka dhënë përgjigje apo sqarim mbi veprimet e firmës.
Banorët e “Miketa 2000” kanë firmosur një peticion kundër vendosjes së kabinës, duke argumentuar se ajo pengon hyrjen e pallatit dhe zë hapësirën e përbashkët ku kalojnë çdo ditë fëmijë dhe të moshuar. Ata e konsiderojnë të padrejtë që, në vend që të përmirësohen rrugët dhe të krijohet më shumë hapësirë për lëvizje, po ndodh e kundërta, betonizimi i oborrit dhe bllokimi i qasjes në ndërtesë.
Kërkesa e banorëve është që kabina të zhvendoset në një vend më të sigurt dhe më të përshtatshëm, larg hyrjes së pallatit dhe zonës së banimit, pasi përbën rrezik për të gjithë. Deri në reagimin e institucioneve përkatëse, komuniteti i “Miketa 2000” mbetet në pritje të një zgjidhjeje që respekton të drejtën për një hapësirë të përbashkët të sigurt dhe të lirë.