Prej 1 janarit të vitit që vjen, do të hyjë në përdorim rregulli i njohur si “bonus malus” për drejtuesit dhe zotëruesit e automjeteve në Shqipëri, çka me fjalë të thjeshta do të thotë se ata që kanë historik negativ me aksidentet, do të paguajnë më shumë për sigurimin e makinës.
Ndërkohë drejtuesit e mjeteve që nuk kanë realizuar shkelje apo aksidente do të përfitojnë ulje të siguracionit. Të paktën kështu supozohet të funksionojë në teori.
Lajmin e ka bërë me dije drejtoresha e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Mimoza Kaçi, gjatë raportimit në komisionin e ekonomisë, e cila u shpreh se aplikimi i “bonus-malus” është një mundësi shumë e madhe për ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve.
“Nuk ekziston një model që i përshtatet çdo vendi. Këto janë faktorë minimal që mund të konsiderohen, por mund të zgjerohen më tej për çdo shoqëri. Mund të mos jetë perfekte, por është hap i madh, për të ndryshuar perceptimin e qytetarëve që të tregojnë kujdes në drejtimin e mjeteve, pasi që në 1 janar 2026 do të hyjë në zbatim dhe bonusi dhe malusi. Nëse incidenca e dëmeve në nivel vendi tek ne është 3.8, do të thotë që 3.8% e drejtuesve do të penalizohen, ndërsa të tjerët do të marrin bonus, që do të luhatet nga drejtuesi në drejtues”- tha Mimoza Kaçi, por duke mos bërë me dije detajet se si do të përshtat ky rregull me kompanitë e sigurimeve dhe as se sa janë shifrat ekzakte.
“Bonus malus” është në parim një rregull mjaft i mirë dhe që aplikohet në mjaft shtete të zhvilluara, por ka nevojë për rregullator dhe për më tepër kriteret duhet të jenë të hapura për interpretim, në varësi se si ndodhin aksidentet apo shkeljet.
Megjithatë presim dhe të shohim zbatimin rregullit të ri dhe nëse qytetarët do të përfitojnë vërtetë bonuse apo ulje. Ndërkohë, në lidhje me sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmeti, Kaçi tha se është i domosdoshëm, pasi vendi ynë ka risk të lartë.
“Është draftuar një ligj i cili është në konsultim dhe është një nismë shumë e mire pasi ofron mbulim të banesave sipas një niveli të caktuar, por cdo qytetar mund të shtojë edhe më shumë. Ky është një sigurim minimal,” u shpreh ajo.