Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masën e sigurisë pezullim nga detyra për katër punonjës policie të Komisariatit të Kavajës, të akuzuar për shpërdorim detyre.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimet kanë zbuluar se këta efektivë nuk kanë kryer kontrolle për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, duke lejuar që në zonën e tyre të mbulimit të gjendeshin të kultivuara 550 rrënjë kanabis.
Në kuadër të hetimeve, janë pezulluar: Komisar A.M., me detyrë Shef Seksioni për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Kavajë (aktualisht në Divjakë), Nënkomisar E.K., Specialist për Hetimin e Krimeve në Volum në Kavajë, Inspektor R.Ç., ish-Nënspecialist i Policimit në Komunitet, aktualisht trupë shërbimi në Seksionin e Qarkullimit Kavajë, Nënkomisar S.K., Specialist/Koordinator për Policimin në Komunitet në Komisariatin e Kavajës.
Sipas Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ekzekutimi i masës u bë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kavajë. Hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësive të tjera të mundshme.