Në Bradashesh koha duket se ka mbetur në vend. Vitet kalojnë, por situata është e njëjtë: asnjë vendkalim për këmbësorët, asnjë kujdes për fëmijët që çdo ditë shkojnë në shkollë duke kaluar mbi një “urë” hekuri të improvizuar, e cila më shumë i ngjan një rreziku publik se një zgjidhjeje.
Institucionet si gjithmonë janë të zhytura në gjumin e tyre të thellë, ndoshta më të fortë se vetë hekurat e ndryshkur të urës. Komuna, në vend që të ndërtojë një urë të sigurt, ka ofruar një copë metal që mezi mban peshën e një të rrituri, ndërsa fëmijët detyrohen të kalojnë aty çdo ditë, me frikën se mos një hap i gabuar i çon drejt tragjedisë.
Kjo është pamja reale e moskokëçarjes shtetërore, një vend ku fëmijët rrezikojnë jetën për të shkuar në shkollë, ndërsa pushtetarët kujdesen vetëm për fasadat dhe inaugurimet me shirita. Bradasheshi është një shembull i gjallë i Shqipërisë së harruar, ku njerëzit kërkojnë siguri, por marrin heshtje.
Në këtë fshat nuk mungon vetëm ura, mungon përgjegjësia. Dhe derisa institucionet të zgjohen nga letargjia e tyre, fëmijët do të vazhdojnë të ecin mbi rrezik, në një vend që i ka harruar prej kohësh.
Denoncimi i qytetarit:
Përshëndetje! Në fshatin Bradashesh prej viteve vazhdon e njëjta situatë, ku nuk ka vend kalim për këmbësorët, shumë pranë ndodhet edhe shkolla ku fëmijët çdo ditë rrezikojnë që kalojnë në këtë "urë" të hekurt që ka dhënë si zgjidhje komuna. Ju lutem publikojeni, ndoshta zgjohen nga gjumi letargjik dhe i moskokëçarjes ndaj përgjegjësive. Ju lutem anonim!