Një qytetar ka ngritur shqetësimin e tij ndaj platformës Tring, duke denoncuar se çdo të martë dhe të mërkurë, pikërisht gjatë ditëve kur transmetohen ndeshjet e Champions League, disa kanale italiane zhduken plotësisht nga lista e kanaleve. Ai shprehet se këto kanale nuk shfaqin ndeshje, ndaj nuk mund të justifikohet largimi i tyre me çështje të të drejtave televizive.
Sipas denoncuesit, kontakti me shërbimin ndaj klientit nuk sjell ndonjë zgjidhje konkrete, pasi përgjigjja standarde është se “problemi është nga vetë kanalet italiane” dhe se “do verifikohet”. Por ajo që i bën qytetarët edhe më konfuzë është fakti që kanalet nuk bllokohen apo ndërpresin sinjalin, por hiqen krejtësisht nga lista, gjë që, sipas tyre, bëhet qëllimisht nga vetë Tring.
Mesazhi denoncues i qytetarit:
Përshëndetje JOQ! Një pyetje ndjekësve ju lutem, nëse kanë të njëjtin problem me platformën Tring... Çdo të martë dhe të mërkurë (kur ka ndeshje të Champions League) ndërpresin kanalet italiane duke i hequr fare nga listimi. (Mund ta verifikoni momentalisht). Kur merr shërbimin e klientit, justifikohen që e kanë problemin vetë kanalet italiane... Ndërkohë që këto të fundit nuk japin ndonjë ndeshje që të mendosh se mund të lidhet me të drejtat televizive. Edhe nëse do ishte kështu, kanali do ndërpriste sinjalin apo transmetimin, por jo të hiqej vetë nga platforma. D.m.th heqjen nga lista e bën Tring për arsye që vetëm ata e dinë, por pa dhënë asnjë shpjegim për klientin, ndërkohë që ne paguajmë abonimin e plotë për të gjitha kanalet që supozohet të jenë të përfshira. Përgjigja e zakonshme është vetëm që do verifikohet. Kuptohet, sa për të kaluar situatën.
