Sali Berisha tha se brenda Partisë Demokratike mund të ketë zëra që kërkojnë largimin e tij. Gjatë një konference për shtyp, ai iu përgjigj deklaratës së Besart Xhaferrajt, i cili kishte thënë se nëse Berisha nuk siguron ripërsëritjen e zgjedhjeve të 11 majit, duhet të largohet nga drejtimi i partisë.
Berisha theksoi se çdo shprehje e lirë brenda partisë duhet të respektojë statutin dhe të marrë parasysh manipulimet e dyshuara në zgjedhjet e mëparshme.
Ai nënvizoi se interpretimi përfundimtar i rregullave do t’i takojë vetë tij dhe anëtarësisë, duke lënë të kuptohet se çdo kundërshtim ndaj tij mund të konsiderohet pjesë e një “kori vokal” dhe të kategorizohet si “grup armiqësor”. Pra me pak fjalë Berisha shpall armik këdo që ngre zërin në PD dhe kërkon largimin e tij.
Ai komentoi gjithashtu largimet e disa figurave të PD drejt posteve në administratën shtetërore, duke përmendur rastin e ish-deputetes Zheni Gjergji, e cila u emërua dje drejtoreshë e Spitalit të Elbasanit.
Berisha bëri të qartë se ata që shkelmojnë besimin e demokratëve nuk i përkasin më partisë, duke saktësuar se numri i atyre që kanë kaluar në krahun tjetër është shumë i vogël, vetëm 3-4 veta.
“Kemi të bëjmë me individë që i kanë votuar dhe mbështetur demokratët. Një gjë mund të them: për Sali Berishën, të gjithë ata që shkelmojnë mbi atë besim dhe mbështetje, janë automatikisht jashtë kësaj force politike. Sepse 99.9% e atyre që i kanë mbështetur këta individë ndërkohë janë të papunë, janë në kushte të vështira, por nuk shiten. U kanë shërbyer kauzës, ndërsa këta pak veta, vetëm 3-4 gjithsej, kanë bërë një zgjedhje: kanë kaluar në partinë e krimit, në partinë që u përket, dhe vetëm kaq,” deklaroi Berisha.