Një histori e dhimbshme vjen nga qyteti i Lushnjës, ku nëna 70-vjeçare Elsa Gega po përballet e vetme me vuajtje të shumta shëndetësore dhe me mungesën e kujdesit familjar. Me zërin që i dridhet, ajo ka kërkuar ndihmën e të gjithë shqiptarëve, duke rrëfyer një histori që të prek deri në shpirt.
Pak vite më parë, një tumor i rëndë i preku veshkën, e cila iu desh ta hiqte për të shpëtuar jetën. Por pas disa vitesh, shëndeti i saj është përkeqësuar sërish. Plagë të thella në këmbë dhe bllokim i venave e kanë lënë nënë Elsën në një gjendje të rëndë fizike dhe emocionale.
Në një telefonatë për redaksinë e JOQ Albania, ajo tregoi mes lotësh se djali i saj i vetëm e ka braktisur, që prej divorcit me bashkëshortin e saj, duke e lënë nënën pa mbështetje.
Më 24 nëntor, Elsa pritet të shtrohet në pavionin e onkologjikut, ku do të marrë trajtimin e radhës për gjendjen e saj. Por përveç mjekimit, ajo ka nevojë edhe për një strehë të vogël apo pak ndihmë financiare për të përballuar qeranë dhe ilaçet.
Ky është një apel njerëzor për të gjithë ata që mund të ndihmojnë. Kushdo që dëshiron të kontribuojë për nënë Elsën, mund të kontaktojë në numrin: 0683820387.
Le të tregojmë edhe njëherë se mirësia dhe solidariteti shqiptar nuk njohin moshë, kufij apo fatkeqësi.