Kanë kaluar pesë vite që nga zhdukja e shqiptares Artemis Vasili, sot 24 vjeçe, e cila humbi gjurmët më 16 tetor 2020 në Koroipi, afër Athinës, pasi kishte thënë familjarëve se po shkonte në një intervistë pune. Që prej asaj dite, asnjë provë e besueshme nuk ka dalë në dritë për vendndodhjen e saj.
Familja dhe autoritetet greke kanë ndjekur dhjetëra pista, nga vetëlargimi deri te mundësia e rrëmbimit, por asnjëra nuk ka dhënë zgjidhje përfundimtare.
Sipas raportimeve të mediave greke dhe shqiptare, hetuesit kanë gjetur disa elemente të çuditshme: përdorim të paautorizuar të llogarive elektronike të Artemis, dëshmi që e vendosin atë në zona të ndryshme pas ditës së zhdukjes, si dhe një mesazh anonim që kërkonte para për “lirimin” e saj.
Pavarësisht hetimeve nga njësia e krimeve të rënda në Athinë dhe përpjekjeve të familjes me avokatin, çështja mbetet një mister i plotë për komunitetin shqiptar në Greqi dhe më gjerë.
Sot, pesë vite më vonë, familja e saj ende pret një përgjigje, një shenjë, një lajm që të sjellë qetësi pas viteve të ankthit dhe pasigurisë. Historia e Artemis Vasili nuk është thjesht një rast i harruar në dosjet e policisë, por një kujtesë e fortë për nevojën që shoqëria të mos harrojë asnjë vajzë të zhdukur.
Nëse dikush ka informacion, që mund të ndihmojë në zbardhjen e fatit të Artemis Vasili, bëni hapin e duhur. Zëri juaj mund të jetë çelësi për t’i kthyer shpresën familjes që po kërkon Artemis.