Banorët e lagjes “Mustafa Matohiti” në qytetin e Patosit kanë ngritur shqetësimin e tyre në lidhje me gjendjen e degraduar të rrugës që përshkon këtë zonë. Siç shihet dhe në video. rruga ndodhet në kushte shumë të këqija, e mbushur me gropa që e bëjnë të vështirë qarkullimin, si për automjetet ashtu edhe për këmbësorët.
Bashkia Patos, me kryetar Fation Duron ka lënë këtë zonë në mëshirë të fatit dhe pa asnjë ndërhyrje apo përmirësim të infrastrukturës. Në lagjen “Mustafa Matohiti” jetojnë rreth 30 familje, të cilat, për të përballuar situatën, janë detyruar të mbushin vetë gropat me materiale të improvizuara.
Mesazhi denoncues i qytetarit:
Përshëndetje JOQ, nga qyteti Patos, Lagjja Mustafa Matohiti. Me anë të kësaj kërkese edhe ankese ju drejtohem për t’ju informuar mbi gjendjen e rëndë të rrugës që kalon në lagjen Mustafa Matohiti, Bashkia Patos me kryetar Fation Duro. Rruga është në një gjendje shumë të keqe, me gropa të shumta që krijojnë vështirësi për kalimin e mjeteve dhe këmbësorëve. Kjo situatë ka krijuar një seri problemesh për banorët e zonës, përfshirë edhe familjet me aftësi të kufizuara (aty nuk lëvizin dot automjetet, jo më personat në karrocë), të cilët kanë nevojë për kushte më të sigurta dhe më të aksesueshme për lëvizjen e tyre. Në këtë lagje banojnë rreth 30 familje, dhe shumë prej nesh kemi marrë iniciativën për të mbushur gropat me materiale që gjejmë, por kjo është një zgjidhje afatshkurtër dhe nuk zgjidh problemet thelbësore të infrastrukturës. Faleminderit nëse e publikoni.