Mëngjesin e sotëm blutë e Tiranës, vunë në pranga 39-vjeçarin Ismet Gaxherri 39-vjeç pasi u kap tek qarkullonte me armë në bulevardin "Bajram Curri".
Por 39-vjeçari, nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai ka qenë i përfshirë më parë në një ngjarje të rëndë, atë të Linzës në vitin 2015, ku mbeti i vrarë Enton Nikaj dhe vetë Gaxherri u plagos.
Në atë kohë, Gaxherri ishte pronari i lokalit ku ndodhi përplasja fatale. Sipas dosjes hetimore, ai shoqëronte Nikajn kur shpërtheu konflikti që do t’i merrte këtij të fundit jetën. Burime të prokurorisë bënë me dije se Gaxherri kishte ndërhyrë për të ndaluar sherrin, por u godit me pjesën e pasme të armës dhe u rrëzua i gjakosur në tokë.
Më pas, dhuna u përqendrua ndaj Enton Nikajt, i cili u qëllua në qafë dhe humbi jetën në vend. Agresorët, pas krimit, u larguan me makinë duke qëlluar sërish në drejtim të tij.Kujtojmë se për ngjarjen në fjalë ka qenë në kërkim Ervis Martinaj, një nga emrat më të errët të botës së krimit.
Asokohe u përfol se sherri kishte lindur për shkak të një borxhi prej 200 mijë eurosh që Gaxherri i detyrohej Ervis Martinajt “mbretit të lojërave të fatit”, sot i zhdukur pa gjurmë.