Detaje të reja dhe tronditëse janë zbardhur nga dosja e vrasjes së Klevis Lleshit, i cili u zhduk më 5 gusht 2020 dhe u gjet i vrarë disa muaj më vonë, më 8 dhjetor 2020, në një ullishte në fshatin Shpërdhet të Kurbinit.
Trupi i Klevisit u zbulua nga efektivët e Policisë së Kurbinit, pas një njoftimi nga pronari i ullishtes, Edmond Kolaveri, i cili kishte gjetur kafkën dhe disa kocka, të cilat, sipas tij, i kishte sjellë qeni i tij. Pas ekzaminimeve të vendit të ngjarjes u gjetën edhe mbetje të tjera kockore të dekompozuara, si dhe veshje sportive pranë trupit.
Klevis Lleshi u pa për herë të fundit teksa qëndronte me shokët në një lokal pranë banesës së tij, por që nga ajo ditë u zhduk pa lënë asnjë gjurmë.
Pas disa muajsh, trupi i tij u gjet i groposur dhe u konfirmua përmes analizës së ADN-së që ishte i tij. Familja, që prej fillimit dyshonte për fatin e keq të tij, tashmë kishte edhe përgjigjen zyrtare.
Hetimet e gjata, që zgjatën 5 vite, zbuluan autorët e krimit, të cilët kishin marrë 50 mijë euro për këtë vrasje.
Fatbardha Lleshi, nëna e 23-vjeçarit të vrarë ka shprehur prej vitesh dyshime të forta se vrasja e tij mund të ketë qenë akt gjakmarrjeje. Familja Lleshi prej vitesh ishte në konflikt të thellë me familjen Hoxha nga fshati Shtjefën i Matit, konflikt ky që ka sjellë një sërë ngjarjesh tragjike gjatë viteve.
Saga e dhunës mes dy familjeve kishte nisur në Britaninë e Madhe, ku në vitin 2012 Arben Lleshi vrau shokun e tij Agim Ali Hoxha. Pas këtij incidenti, në vitin 2013 u vra babai i Klevis Lleshit, Xhavit Lleshi, ndërsa në vitin 2017 humbën jetën vëllai dhe xhaxhai i Klevisit, Hajredin Lleshi. Në të njëjtin vit, djali i Hajredinit, Artan Lleshi, rezulton i zhdukur në Kamëz në rrethana të panjohura. Asnjë nga këto ngjarje nuk ka autor të identifikuar.