Policia e Lezhës ka arrestuar tre të rinj dhe ka vënë nën hetim një të mitur, pas një operacioni të zhvilluar në aksin rrugor “Shëngjin–Kune”, ku u konstatuan duke udhëtuar me lëndë narkotike dhe armë të ftohtë në automjet.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga kanë rënë Marsel Margjoni, Henri Ismaili dhe Pietro Gega, ndërsa një 17-vjeçar është proceduar penalisht në gjendje të lirë. Katër të rinjtë po lëviznin me një automjet tip “Benz”, kur efektivët e Policisë u dhanë urdhër ndalimi. Pasi tentuan t’i shmangeshin kontrollit, automjeti u ndalua pas disa minutash ndjekjeje.
Gjatë kontrollit të mjetit, forcat e rendit gjetën dhe sekuestruan lëndë të dyshuar narkotike të llojit kokainë dhe kanabis, si dhe një thikë. Gjithashtu gjatë kontrollit të banesës së Pietro Gegës, 26 vjeç, person me precedent penal në fushën e narkotikëve, policia ka gjetur dhe sekuestruar 60 fishekë armë zjarri të llojit pistoletë.
Materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e mundshëm të bashkëpunëtorëve.