Banorët e “Lagjes së Re” në Kukës kanë denoncuar pranë redaksisë tonë gjendjen e rëndë të infrastrukturës rrugore në zonë, e cila, sipas tyre, po pengon seriozisht lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve.
Sipas kuksianëve, rruga është e amortizuar prej kohësh, por me ardhjen e dimrit dhe reshjet e fundit situata është përkeqësuar ndjeshëm.
“E vetmja mënyrë për të kaluar rrugën është me makina off-road”, shprehen banorët me indinjatë.
Në pamjet e siguruara nga qytetarët shihet qartë se rruga është shndërruar në gropa të mëdha, të gërryera nga uji, të cilat prej muajsh nuk janë riparuar nga autoritetet vendore.
“Lagja e Re” është një zonë ish-informale, e njohur për ndërtimet pa kriter pas viteve ’90. Megjithatë, Bashkia Kukës është zotuar prej kohësh se do të zbatojë një plan të mirëfilltë urbanistik për sistemimin e infrastrukturës rrugore.
Banorët thonë se premtimet kanë mbetur vetëm në letër dhe se çdo ditë përballen me vështirësi për të kryer edhe nevojat më bazike të përditshmërisë. Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga bashkia për të rikthyer normalitetin në zonë dhe për t’i dhënë fund neglizhencës që, sipas tyre, i ka shoqëruar prej vitesh.