Një denoncim nga qyteti i Vlorës hedh dritë mbi një situatë absurde dhe të përsëritur, ku një biznes është kthyer në “viktimë” të neglizhencës dhe abuzimit ndërtimor. Qytetari, pronar i një bar-kafeje në katin e parë të një pallati në lagjen 1048, tregon se prej gjashtë vitesh përballet me dëmtime të mëdha në ambientet e lokalit të tij, për shkak të ujërave që rrjedhin nga banesa e komshisë së katit të dytë.
Sipas denoncimit të bërë publikisht, komshia e katit të dytë ka ndërtuar një banjë jashtë standardeve të ndërtimit dhe pa leje, e cila ndodhet mbi dhomën e gjumit të saj, por nën tavanin e biznesit të zotit Shametaj. Si pasojë, ujërat e ndotura kanë depërtuar përmes murit dhe tavanit, duke shkaktuar dëmtime të rënda materiale në lokal: tavolina të prishura, banak i dëmtuar dhe mure të rrënuara nga lagështia.
“Uji më ka shkatërruar gjithçka, çdo ditë bie suva nga tavani. Komshia refuzon të mbyllë banjën që ka ndërtuar pa leje. Kam kërkuar ndihmë nga të gjitha institucionet, por asgjë nuk është bërë. Kërkoj drejtësi dhe zgjidhje, sepse kjo është jeta ime, puna ime,” – shprehet qytetari në mesazhin e tij.
Sipas tij, ndërtimi pa leje është kryer nga një qytetare që banon në katin e dytë, ndërkohë që institucionet vendore, përfshirë Inspektoratin e Ndërtimit dhe Bashkinë Vlorë, nuk kanë ndërhyrë për të verifikuar situatën apo për të marrë masa ligjore.
Rasti në fjalë është një tjetër shembull i qartë i mosfunksionimit të strukturave të kontrollit urbanistik dhe mungesës së reagimit institucional për problemet reale të qytetarëve. Nëse një ndërtim pa leje mbi një biznes mund të ekzistojë për gjashtë vite pa asnjë kontroll, pyetja që lind është e thjeshtë: Kush i mbron qytetarët që punojnë ndershëm dhe paguajnë taksa, kur ligji hesht përballë abuzimeve?