Në qytetin e Lushnjës, një situatë absurde po ndodh prej javësh në shkollën “Skënder Libohova”, ku fëmijët detyrohen të kalojnë në shi dhe baltë për të hyrë në mësim sepse dera kryesore e institucionit është bllokuar nga një “pronar” që pretendon se toka mbrapa shkollës është e tij.
Prindi që ka dërguar videon dhe ankesën tregon se dera e dytë e shkollës, e vetmja hyrje funksionale dhe e sigurt për nxënësit, është mbyllur nga ky qytetar që ka ndërtuar një magazinë në hapësirën publike, duke ndaluar qasjen me argumentin “është prona ime”. Ndërkohë, nxënësit, shumica të vegjël, detyrohen të kalojnë nga rrugë të rrezikshme e të përmbytura për të arritur në mësim.
Por ajo që e bën këtë histori të papranueshme është heshtja e institucioneve. Prindërit janë ankuar disa herë në Bashkinë e Lushnjës, në Policinë Bashkiake, dhe madje kanë dërguar kërkesë me shkrim për zgjidhje të menjëhershme. Përgjigjja? Heshtje totale.
Ndërkohë që zyrtarët bëjnë fotografi nëpër shkolla “model” për fushata, realiteti në terren është ky: nxënës që lagen çdo mëngjes, mësues që hyjnë nëpër baltë, dhe një “pronar” që mban peng hyrjen e një institucioni arsimor publik , pa asnjë reagim ligjor.
Prindërit kanë të drejtë ta quajnë median “shpresën e fundit”. Sepse kur institucionet dorëzohen përballë një dere, çfarë garancie mund të kenë qytetarët për gjërat më të mëdha?