Zbulohen mbetje mortore në Kosovë, dyshohet se i përkasin personave të zhdukur gjatë luftës

Shkruar nga: S. H | Publikuar më: 21.10.2025, 10:58

Policia e Kosovës ka njoftuar se më 20 tetor 2025, në koordinim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur, ka realizuar gërmime në varrezat e fshatit Hajvali, në Prishtinë, ku janë gjetur mbetje eshtërore të njeriut. Sipas hetimeve fillestare, dyshohet se bëhet fjalë për të paktën tre persona të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë.

Urdhri për kryerjen e këtyre gërmimeve është lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Instituti i Mjekësisë Ligjore ka tërhequr mbetjet mortore për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa pritet që punimet në zonë të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Kjo ndërhyrje konsiderohet një hap i rëndësishëm në përpjekjet për zbardhjen e fatit të mbi 1.500 personave që ende rezultojnë të zhdukur nga lufta.

Pavarësisht një marrëveshjeje të arritur në vitin 2023 mes Kosovës dhe Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, shumica e zotimeve mbeten të pazbatuara. Deklarata e përbashkët parashihte qasje në informacione të klasifikuara dhe bashkëpunim të ndërsjellë përmes një komisioni të mbikëqyrur nga BE, por procesi ka ngecur, duke lënë ende shumë familje pa përgjigje për fatin e të afërmve të tyre.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit