Një mjeshtër pastiçerie shqiptar që prej vitesh punon në Itali ka ndarë me redaksinë e JOQ Albania një mesazh të fortë për gjendjen e këtij zanati në vendin tonë.
Selam Allaraj, që aktualisht punon si kryepastiçer në Milano, shprehet i zhgënjyer nga mënyra se si shumë biznese në Shqipëri po e “shkurtojnë” rrugën drejt fitimit, duke sakrifikuar artin dhe përkushtimin që kërkon ky profesion.
Sipas tij, në shumë pastiçeri mungon ajo që i jep shpirt laboratorit, mjeshtri i vërtetë. Ai thekson se sot shumica punojnë me produkte të gatshme, përzierje industriale dhe baza të parapërfunduara, duke e kthyer punën e pastiçerit në një proces mekanik, pa kreativitet e pa dashuri për detajin.
“Pastiçeria nuk është montim, është art dhe shkencë,” nënvizon mjeshtri, duke shtuar se një ëmbëlsirë e vërtetë lind nga duart, përvoja dhe ndjeshmëria e atij që e njeh çdo përbërës.
Në fund, ai bën thirrje që të rikthehet respekti për profesionin e pastiçerit të mirëfilltë, përndryshe, siç shprehet vetë, “shumë ëmbëlsira do të duken të bukura në pamje, por bosh në shpirt dhe në shije.”
Mesazhi i plotë i Selam Allarajt:
Përshëndetje,
Jam Selam Allaraj, mjeshtër i pastiçerisë në Itali ku veproj prej vitesh si kryepastiçer tashmë në Milano.
Po ju shkruaj diçka në lidhje me këtë që do ju them dhe do ju kisha lutur ta publikoni.
Në shumë pastiçeri në Shqipëri sot mungon ajo që e bën një laborator të jetë i gjallë: mjeshtri pastiçer. Shumë biznese kanë zgjedhur rrugën më të lehtë, punojnë vetëm me produkte të gatshme, me baza industriale e përzierje që vijnë të përfunduara. Kjo e kthen punën e pastiçerit në thjesht një montim mekanik, jo në krijim.
Në vend që të ketë profesionistë që përgatisin krema, peta, sfungjerë, glazura apo dekorime me dorën dhe përvojën e tyre, shumë laboratorë janë mbushur me njerëz që thjesht hapin kuti, përziejnë përbërës të gatshëm dhe i vendosin në vitrinë. Këta nuk janë pastiçerë, janë montues ëmbëlsirash, që shpesh nuk kanë as bazat e zanatit.
Pastiçeria është art dhe shkencë njëkohësisht: kërkon dije, disiplinë, ndjeshmëri ndaj detajit, respekt për përbërësin dhe pasion për produktin final. Një tortë e bukur dhe e shijshme nuk lind nga një përzierje pluhuri, por nga përkushtimi dhe eksperienca e një mjeshtri që e njeh çdo fazë të procesit, nga përzgjedhja e lëndëve të para deri te dekorimi final.
Deri sa të rikthehet ky respekt për profesionin e vërtetë të pastiçerit, shumë ëmbëlsira do të duken të bukura në pamje, por bosh në shpirt dhe në shije.