Mbaruan “hallet” e shqiptarëve, Rama paraprin teknologjinë në Europë: “Identiteti Digjital do na çojë 1 vit para BE-së”

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 20.10.2025, 23:30

Në një vend ku 10 minuta shi mjaftojnë për ta kthyer çdo qytet në pishinë, ku uji në rubinet del me orar, ku trafiku në Tiranë të ha minimalisht tre orë nga jeta çdo ditë dhe dhe ku mijëra familje ende përballen çdo ditë me vështirësi ekonomike, qeveria ka vendosur të fokusohet tek… Inteligjenca Artificiale.

Po, po. Tek ajo “inteligjenca” që ende s’e kemi vendosur mirë në realitet, por tani do ta kemi në versionin “artificial”.

Pas suksesit të madh me “Ministren e AI-së”, që përveç inteligjencës, duket se ka edhe aftësinë për të qenë e padukshme gjatë orarit të punës, tani vetë Kryeministri Rama ka shpalosur projektin më të ri futurist: Identitetin Digjital.

Gjatë një aktiviteti për prezantimin e këtij “revolucioni teknologjik”, Rama tha plot krenari se Shqipëria do të jetë një hap përpara Bashkimit Europian, madje edhe vetë teknologjisë që BE planifikon ta zbatojë pas nesh.

Ja si e tha fjalë për fjalë:

“Ky është një moment i shumëpritur… Identiteti Digjital është baza e një kapërcimi të madh… Falë tij, ne do jemi një vit përpara Bashkimit Europian.”

Pra, sipas kryeministrit, në vitin 2026 Shqipëria do jetë një vit përpara Europës, ndoshta jo për pagat, për spitalet apo për rrugët, por për AI-në dhe identitetin digjital që mezi presim të mësojmë çfarë është saktësisht.

Deri atëherë, nëse ju prisni 3 orë në trafik apo ju bie tavani nga lagështia, mos u shqetësoni: shumë shpejt do të keni një identitet digjital supermodern që ndoshta do t’ju ndihmojë të harroni hallet e përditshme… ose t’i shikoni në “realitet virtual”.

Në fund të fundit, siç duket, në Shqipërinë e vitit 2025 problemet janë reale, por zgjidhjet duken gjithnjë e më artificiale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit